Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për qëndrimin e LDK-së gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, si dhe për përpjekjet për krijimin e institucioneve të reja.
Duke folur në emisionin “Adresa” në Kanal 10, Abdixhiku tha se LDK-ja kishte një orientim të qartë politik dhe se vendimi për angazhimin në krijimin e institucioneve ishte marrë në organet më të larta të partisë.
“Edhe gjatë fushatës, edhe pas fushatës, kishim një orientim të qartë politik. Si organi më i lartë i partisë, kishim zgjedhur, me rekomandimin tim, një deklaratë që LDK-ja të angazhohej për krijimin e institucioneve. Ky ishte një vendim i LDK-së”, tha Abdixhiku.
Ai tregoi se LDK-ja kishte zhvilluar takime edhe me partitë e tjera politike, përfshirë PDK-në dhe Aleancën, me qëllim që të gjendej një rrugë për tejkalimin e situatës politike.
Sipas Abdixhikut, gjatë këtyre kontakteve është kuptuar se PDK-ja nuk dëshironte të bëhej pjesë e këtij procesi.




