Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve, duke e cilësuar rezultatin si të dhimbshëm, por duke theksuar se ai është verdikt i qytetarëve që duhet respektuar.
Në një mesazh drejtuar anëtarëve, qytetarëve dhe mbështetësve, Abdixhiku tha se viti po mbyllet ndryshe nga pritjet dhe se rezultati zgjedhor nuk ishte ai që ai dhe LDK-ja kishin synuar.
“Rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ai që synova e synuam. Ishte i dhimbshëm për shumë prej nesh, por është verdikti i qytetarëve tanë dhe para këtij vendimi përulemi me respekt”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka falënderuar të gjithë ata që, sipas tij, kanë besuar dhe kanë punuar me përkushtim për LDK-në, duke pranuar se zhgënjimi është i pranishëm, por se besimi në Kosovë, demokraci dhe të ardhmen e vendit nuk duhet të shuhet.
Ai ka bërë të ditur se ky është edhe një moment reflektimi personal, duke theksuar se ka bërë gjithçka që ka ditur dhe mundur, me ndershmëri dhe përkushtim, por se jo gjithmonë edhe maksimumi mjafton.
