Radiotelevizioni i Kosovës e ka siguruar dosjen e plotë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për dy vepra penale, “spiunazh” dhe “shantazh”.
Aktakuza, e cila përmban 80 faqe, përshkruan dyshimet dhe provat e pretenduara nga Prokuroria lidhur me veprimtarinë e Shehollit. Sipas aktakuzës, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me Shërbimin Informativ dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA), ndërsa në një rast tjetër akuzohet për shantazh ndaj një biznesmeni.
RTK, në vijim, do të publikojë detaje nga dosja, duke iu referuar përmbajtjes së aktakuzës dhe provave të përshkruara nga Prokuroria.
Sipas aktakuzës, nga një periudhë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, Fatmir Sheholli dyshohet se ka vepruar si person i rekrutuar nga BIA dhe sipas udhëzimeve të një zyrtari të lartë të këtij shërbimi, Bojan Dimiç.
Në dosje thuhet se Dimiç ishte drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në kuadër të BIA-s.
Prokuroria pretendon se Sheholli ka mbledhur dhe përcjellë informacione dhe dokumente lidhur me zhvillimet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve në Kosovë.
Sipas aktakuzës, komunikimi me zyrtarin e BIA-s është zhvilluar edhe përmes mesazheve telefonike.
Një pjesë e aktakuzës lidhet me zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Sipas Prokurorisë, më 26 shtator 2025, Sheholli kishte udhëtuar në Mitrovicën e Veriut, ku, në parkingun e Shkollës Teknike, dyshohet se kishte pranuar nga një person i paidentifikuar një dosje me audio-incizime dhe transkripte.
Në aktakuzë pretendohet se materialet kishin për qëllim komprometimin e zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, përfshirë kabinetin e ministrit Nenad Rashiq.
Prokuroria pretendon se, bashkë me materialet, Sheholli kishte pranuar edhe 5 mijë euro. Sipas dosjes, më pas ai ia kishte dorëzuar materialet gazetarit Milaim Zeka, bashkë me 1 mijë euro dhe premtimin për 1 mijë euro të tjera, duke e udhëzuar që materialet t’i publikonte në emisionin “Pa Rrotlla”, pak ditë para zgjedhjeve lokale.
Prokuroria pretendon se qëllimi ishte ndikimi në procesin zgjedhor dhe dëmtimi i interesave të Republikës së Kosovës.
Në aktakuzë thuhet gjithashtu se Sheholli i kishte thënë gazetarit se materialet buronin nga “GIZ-i gjerman”.
Sipas aktakuzës, gjatë hetimeve dhe bastisjeve të kryera në rastin e Shehollit janë sekuestruar materiale dhe janë evidentuar komunikime që Prokuroria i konsideron relevante për rastin.
Në telefonin e Shehollit, sipas dosjes, janë gjetur komunikime me persona që Prokuroria i identifikon si zyrtarë të BIA-s.
Në aktakuzë thuhet se numri i Bojan Dimiçit ishte ruajtur në telefon me emra të ndryshëm, përfshirë “Gizi”, “Bojana” dhe “Gazetari”.




