Aleanca ka reaguar pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, duke e cilësuar atë si dëshmi të stagnimit dhe degradimit institucional të Kosovës pas më shumë se gjashtë vitesh qeverisje.
Në reagimin e publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Aleanca ka thënë se raporti përmban vlerësime të rënda për gjendjen në vend, me konstatime për mungesë progresi dhe progres të kufizuar në disa fusha.
Sipas Aleancës, raporti dëshmon se Kosova ka shënuar kthim prapa në rrugëtimin drejt integrimit evropian, ndërsa kriza politike dhe zgjedhjet e përsëritura kanë bllokuar institucionet dhe kanë lënë vendin pa orientim.
Në fushën e drejtësisë, Aleanca ka vlerësuar se premtimet për reforma të thella nuk janë përmbushur, duke theksuar se gjyqësori mbetet i cenueshëm nga ndërhyrjet dhe se rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë të kufizuara.



