Juristja për media, Flutura Kusari, ka reaguar pas publikimit të Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar se vendi ka shënuar përmirësim të kufizuar në fushën e lirisë së shprehjes dhe medias.
Kusari ka veçuar si zhvillim pozitiv faktin që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përmes strategjisë së re, u ka dhënë prioritet rasteve që përfshijnë gazetarët.
Sipas saj, ky vendim është i rëndësishëm, pasi do të ndikojë që rastet e shpifjes dhe fyerjes të mos mbeten për vite të tëra në sistemin gjyqësor.
Ajo ka vlerësuar gjithashtu se Bashkimi Evropian ka marrë parasysh kritikat dhe shqetësimet e ngritura nga organizatat dhe përfaqësuesit e sektorit të medias në Kosovë.
Në reagimin e saj, Kusari ka përmendur se në raport janë përfshirë kritikat lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së, si dhe vendimet e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për ndëshkimin e mediave.
