Komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ) të Serbisë, Igor Zhmiric, është arrestuar të martën, me urdhër të Prokurorisë së Parë Themelore në Beograd, raporton mediumi serb Nova.rs.
Sipas informacioneve jozyrtare të këtij mediumi, Zhmiric është njëri nga pesë personat e arrestuar në një aksion të madh të inspektorëve të Sektorit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Përveç tij, janë arrestuar edhe katër ish-pjesëtarë dhe pjesëtarë aktualë të Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve (JZO).
Ata dyshohet se kanë marrë pjesë në ndërhyrjet policore gjatë muajve korrik dhe gusht të vitit 2025, në bulevardin “Kralja Aleksandra”, pranë Fakultetit Juridik në Beograd.
Gjatë këtyre ndërhyrjeve, disa studentë u lënduan dhe u shoqëruan në polici. Në një rast, policia hyri edhe në ambientet e Fakultetit Juridik, duke cenuar autonominë universitare.




