Avokati Shpend Lushaku ka propozuar që personat që ushtrojnë funksionet e gjyqtarit, prokurorit, policit dhe avokatit, para se të marrin detyrën, të kalojnë së paku dy javë në një qendër të improvizuar paraburgimi.
Përmes një postimi në facebook, Lushaku ka thënë se këtë ide e ka menduar shpesh dhe e ka diskutuar edhe me kolegë.
“A nuk do të ishte më e drejtë që të ekzistonte një rregullore sipas së cilës, para ushtrimit të profesionit, personat që ushtrojnë funksionet e gjyqtarit, prokurorit, policit dhe avokatit të dërgoheshin për të paktën dy javë në një qendër të improvizuar paraburgimi?”, ka shkruar ai.
Sipas Lushakut, një përvojë e tillë nuk do të duhej të shihej si masë ndëshkuese, por si mundësi për ta kuptuar nga afër se sa e çmuar është liria.
“Jo si masë ndëshkuese asnjëherë, por si një përvojë që do t’u mundësonte ta kuptonin nga afër se sa e çmuar është liria”, ka theksuar ai.
Ai ka përmendur vështirësitë me të cilat përballen personat në paraburgim, duke veçuar mungesën e kontakteve të përditshme me familjen, komunikimin e kufizuar me shoqërinë dhe pamundësinë për ta shfrytëzuar telefonin apo për të zgjedhur vetë ushqimin.
“Ndoshta, përmes kësaj përvoje, secili do ta kuptonte edhe më mirë peshën e përgjegjësisë që mbart profesioni i tij. Liria nuk është thjesht një koncept juridik i shkruar në ligj. Ajo përfaqëson jetën e një njeriu, familjen e tij, dinjitetin dhe kohën që nuk kthehet më”, ka shkruar avokati.
Lushaku ka theksuar se përgjegjësia e organeve të hetimit dhe mbrojtjes për të garantuar një proces të drejtë dhe të paanshëm, duke shtuar se para çdo vendimi që mund t’ia kufizojë dikujt lirinë, duhet të kuptohet plotësisht pesha njerëzore dhe juridike e një vendimi të tillë.