Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka pasur kritika për Qeverinë, lidhur me realizimin e ulët të investimeve kapitale, duke thënë se nga rreth një miliard euro të planifikuara për vitin 2026, deri më 1 shtator janë shpenzuar vetëm 192 milionë euro nga niveli qendror.
Në një postim në Facebook, Bajrami është thirrur në të dhënat e Ministrisë së Financave, sipas të cilave, në të njëjtën periudhë për subvencione dhe transfere janë shpenzuar 908 milionë euro, nga 1.3 miliardë euro të planifikuara.
Postimi i plotë:
Një miliard euro për investime kapitale në letër, por vetëm 192 milionë euro të realizuara nga niveli qendror deri më 1 shtator!
Nëse doni ta kuptoni pse edhe pas gati gjashtë vitesh qeverisje, kjo Qeveri nuk ka arritur t'i përfundojë projektet e mëdha kapitale, shikoni të dhënat e vetë Ministrisë së Financave.
Sipas këtyre të dhënave, nga rreth një miliard euro të planifikuara për investime kapitale në buxhetin e vitit 2026, deri më 1 shtator janë shpenzuar vetëm 192 milionë euro nga niveli qendror.
Ndërkohë, për subvencione dhe transfere janë shpenzuar plot 908 milionë euro, nga 1.3 miliardë të planifikuara.
Këto shifra flasin më shumë se çdo propagandë qeveritare!



