Profesori i së drejtës kushtetuese dhe njëri nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka reaguar për krizën aktuale politike dhe bllokadën e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Bajrami ka paralajmëruar për “pasoja të rëndësishme kushtetuese”, duke theksuar se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje e vullnetit politik të një partie apo grupi parlamentar, por një detyrim që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta.
Sipas tij, afati prej 30 ditësh i përcaktuar në Kushtetutë duhet të respektohet dhe tejkalimi i tij, pa përfunduar procesi i konstituimit, paraqet një çështje serioze nga aspekti kushtetues.
“Neni 66.1 përdor një formulim të qartë: seanca konstituive mbahet brenda tridhjetë ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Ky formulim nuk i jep subjekteve politike një mundësi të pakufizuar për ta shtyrë konstituimin”, ka deklaruar Bajrami.
Megjithatë, profesori ka bërë dallim mes pretendimit për shkelje të Kushtetutës dhe konstatimit përfundimtar të një shkeljeje të tillë, duke theksuar se kjo çështje i takon Gjykatës Kushtetuese.
“Një gjë është pretendimi për shkelje kushtetuese, ndërsa diçka tjetër është konstatimi përfundimtar i një shkeljeje kushtetuese”, ka thënë ai.
Bajrami e ka cilësuar situatën aktuale si krizë politike dhe institucionale, e cila tashmë po prodhon pasoja në planin kushtetues.
“Kemi të bëjmë para së gjithash me një krizë politike dhe institucionale, e cila po prodhon pasoja të rëndësishme kushtetuese. Kushtetuta e Kosovës përcakton strukturën e pushtetit, kompetencat e institucioneve dhe procedurat për funksionalizimin e tyre. Por Kushtetuta nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik”, ka deklaruar ai.
Sipas Bajramit, kur është hartuar Kushtetuta, nuk ka qenë e mundur të parashikohej çdo situatë e mundshme e bllokimit politik.


