Nga 1 korriku, Danimarka mori drejtimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, duke trashëguar një numër dosjesh të rëndësishme politike – ndër to, edhe njëra që prej kohësh ka mbetur mënjanë: aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE.
I dorëzuar qysh në dhjetor të vitit 2022, ky aplikim nuk ka kaluar as në fazën e parë formale – shqyrtimin nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimin për opinion te Komisioni Evropian.
Në kushte normale, kjo do të ishte një procedurë më rutinore. Por, në rastin e Kosovës – që ende nuk njihet nga pesë shtete anëtare – gjithçka është e ndërlikuar nga kalkulimet politike, hezitimet diplomatike dhe mungesa e vullnetit për ta trajtuar këtë çështje më me seriozitet.
Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE – një fakt që pasqyron qartë stagnimin e agjendës së saj evropiane.
Pyetja tani është nëse presidenca daneze do të merret me këtë dosje, apo do të ndjekë edhe ajo rrugën e paraardhësve, duke e lënë në pritje pa afat.
Këtij interesimi të Radios Evropa e Lirë, ajo nuk iu përgjigj, por njohësit e këtyre proceseve nuk presin ndonjë ndryshim domethënës gjatë gjashtëmujorit të saj.
“Për momentin, nuk ka asgjë konkrete, asnjë lëvizje. Danezët donin shumë t’i lëviznin gjërat përpara, por, për fat të keq, nuk patën asnjë ndihmë nga ana e Kosovës”, thotë Rikard Jozwiak, redaktor për Evropën i Radios Evropa e Lirë.
Ai shpjegon se vështirësia kryesore nuk lidhet vetëm me skepticizmin e disa shteteve anëtare ndaj Kosovës, por edhe me vetë gjendjen politike në Prishtinë.
Kujton se Kosova, prej muajsh, funksionon me institucione në detyrë, apo pa një qeveri të konsoliduar, që do të mund të rifillonte seriozisht angazhimin me BE-në.
Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, thotë se Kosova nuk ka bërë asnjë lëvizje domethënëse tash e gati dy vjet, duke mbetur në vendnumëro edhe në këtë proces – jetik për të ardhmen e saj evropiane.
“Ndaj, do të jetë shumë vështirë të binden vendet skeptike ndaj Kosovës, sepse ajo, realisht, nuk është një prej atyre vendeve në Ballkan ku ka zhvillime pozitive”, thotë Jozwiak.
Edhe pse zgjedhjet u mbajtën në shkurt, Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend të konstituuar dhe, për rrjedhojë, pa qeveri të formuar, për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet partive kryesore.
Normalizimi i marrëdhënieve është kusht i domosdoshëm si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian.
Megjithatë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që nga sulmi në Banjskë në shtator të vitit 2023, duke kërkuar më parë dorëzimin e të akuzuarve për atë ngjarje.
Kjo qasje e ka vështirësuar dialogun dhe ka ndikuar në një qëndrim më kritik të BE-së ndaj Kosovës.
Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit në Berlin, thotë se politika e BE-së, e fokusuar kryesisht në dialogun e Kosovës me Serbinë, është e dëmshme për Kosovën, pasi, siç thotë, ka sjellë presion të njëanshëm ndaj saj dhe trajtim më lehtësues për Serbinë.
Kjo, sipas tij, ka krijuar pabarazi në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shpjegon arsyet përse:
