Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën për vitin 2026, në të cilin ka evidentuar një sërë sfidash në fushën e lirisë së shprehjes dhe medias, duke përfshirë sulmet ndaj gazetarëve, presionin nga zyrtarët publikë, krizën financiare të transmetuesit publik RTK dhe mungesën e transparencës në pronësinë e financimin e mediave.
Në raport, BE vlerëson se Kosova ka garanci të përshtatshme ligjore për lirinë e shprehjes, por se mjedisi për funksionimin e lirë, të pavarur dhe profesional të mediave duhet të përmirësohet.
Një prej çështjeve të ngritura është numri i rasteve të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Sipas Komisionit Evropian, gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo kërcënimeve, megjithëse kjo paraqet rënie të konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak.
Në mesin e rasteve të evidentuara janë përfshirë pengimi i punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, por edhe akuzat dhe gjuha e ashpër e përdorur nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ndaj gazetarëve dhe mediave.
“Gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, një rënie e konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak. Sulmet përfshinin pengimin e punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, si dhe akuzat dhe gjuhën e ashpër të përdorur nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin, ndaj gazetarëve dhe mediave”, thuhet në raport.
Komisioni Evropian thekson se zyrtarët publikë duhet të përmbahen nga deklaratat që shënjestrojnë apo diskreditojnë gazetarët, ndërsa sulmet dhe frikësimi i tyre duhet të dënohen.
Raporti evidenton edhe raste të tjera shqetësuese. Gjatë periudhës raportuese, një kameraman është arrestuar dhe mbajtur përkohësisht në ndalim nga Policia e Kosovës, ndërsa të paktën katër persona janë ndaluar për kërcënimin e gazetarëve. Frikësimi ka përfshirë edhe ngacmimet në internet dhe publikimin e të dhënave personale të gazetarëve.
Ndërkaq, Komisioni ka bërë të ditur se nuk është regjistruar asnjë rast i padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).
Ligjet për mediat ende të pamiratuara
Në aspektin ligjor, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova nuk e ka harmonizuar plotësisht legjislacionin me acquis-në e Bashkimit Evropian për lirinë e shprehjes dhe mediat, veçanërisht me Aktin Evropian për Lirinë e Medias dhe kornizën kundër padive SLAPP.
Raporti nënvizon se ende nuk janë miratuar Ligji i ri për Radio Televizionin e Kosovës dhe Ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve. Po ashtu, kërkohet harmonizimi i Ligjit për shpifjen civile me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Pas shfuqizimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave nga Gjykata Kushtetuese, BE kërkon hartimin e një projektligji të ri në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe zgjerimin e kompetencave rregullatore edhe mbi mediat online.
Megjithatë, si zhvillim pozitiv është vlerësuar funksionalizimi i bordeve të RTK-së dhe KPM-së. Në prill të vitit 2026, Kuvendi emëroi gjashtë nga tetë anëtarët që mungonin në Bordin e RTK-së, si dhe gjashtë anëtarët e KPM-së.
Pavarësisht kësaj, në Bordin e RTK-së vazhdojnë të jenë katër vende të paplotësuara, ndërsa procesi i emërimeve është kritikuar nga shoqëria civile për mungesë transparence dhe parregullsi. Raporti vë në pah edhe faktin se Bordi i Ankesave i KPM-së nuk ka pasur kuorum që nga nëntori i vitit 2023.
RTK në krizë financiare, 75 për qind e buxhetit shkon për paga
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet gjendjes financiare të transmetuesit publik, RTK.
Komisioni Evropian vlerëson se funksionimi i RTK-së gjatë periudhës raportuese është karakterizuar nga një krizë e thellë financiare, e shkaktuar nga bllokada institucionale, e cila është lehtësuar pjesërisht pas konstituimit të Kuvendit në shkurt të vitit 2026.
Megjithatë, nuk është shënuar progres në krijimin e një modeli afatgjatë dhe të qëndrueshëm të financimit që do të garantonte pavarësinë e transmetuesit publik.




