Në 28-vjetorin e rënies heroike të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Bekim Jashari ka kujtuar figurën dhe veprën e tyre, duke vlerësuar kontributin e tyre në luftën për lirinë e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Jashari ka rrëfyer për veprimtarinë atdhetare të Fehmi Lladrovcit, burgosjen e tij nga regjimi serb dhe vendosmërinë për të vazhduar rrugën drejt çlirimit të Kosovës.
Jashari ka përmendur edhe pjesëmarrjen e Lladrovcit në luftën në Kroaci dhe angazhimin e tij për grumbullimin e armatimit për Kosovën. Ai ka rikujtuar edhe një deklaratë të Fehmi Lladrovcit në një intervistë për BBC-në, ku ishte shprehur se do të vdiste për Kosovën, duke theksuar se “më e shtrenjtë është liria se jeta”.
Sipas Jasharit, Fehmi Lladrovci shquhej për modestinë dhe përkushtimin ndaj bashkëluftëtarëve. Ai ka theksuar se Lladrovci, pavarësisht pozitës së komandantit, së bashku me bashkëshorten e tij, Xhevën, dilte ndër të parët në luftime dhe qëndronte pranë luftëtarëve.




