Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësim për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se hyrja e tyre në fuqi do të përbënte shkelje të një marrëveshjeje ndërkombëtare.
Kjo ambasadë ka theksuar se mbështetë respektimin e mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të përcaktuar në vitin 2015, si dhe përdorimin e procedurave të parapara për ankesat kundër aktgjykimeve të shkallës së parë.
“Vërejmë dhe ndajmë shqetësimet e Bashkimit Evropian se ndryshimi ligjor, nëse do të hynte në fuqi, do të përbënte shkelje të një marrëveshjeje ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Britanike për Klankosova.tv.
Mbretëria e Bashkuar ka rikujtuar se e kishte mirëpritur themelimin e Dhomave të Specializuara në vitin 2015, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të luftuar pandëshkueshmërinë dhe për të forcuar sundimin e ligjit.
Sipas Ambasadës, themelimi i kësaj gjykate pasqyroi lidershipin dhe guximin politik të udhëheqësve të Kosovës në atë kohë, si dhe përkushtimin e tyre për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kjo ambasadë ka ritheksuar mbështetjen e vendit të saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.




