Një paralajmërim i pazakontë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka ngritur pikëpyetje për zhvillimet që mund të ndodhin në Prishtinë gjatë javëve të ardhshme. Derisa në opinionin publik nuk ka ndonjë protestë të madhe të paralajmëruar me datë dhe organizatorë të qartë, diplomacia amerikane ka dalë me një njoftim që flet jo vetëm për protesta, por edhe për mundësinë e përshkallëzimit të tyre.
Çfarë informacionesh posedon Ambasada Amerikane dhe mbi çfarë vlerësimesh është mbështetur ky paralajmërim?
Ambasada Amerikane në Prishtinë ka lëshuar të enjten, më 12 nëntor, një njoftim për shtetasit e saj, duke paralajmëruar se protesta pritet të zhvillohen edhe gjatë javëve në vijim në kryeqytetin e Kosovës.
Por ajo që bie në sy nuk është vetëm thirrja për kujdes. Është mënyra se si Ambasada flet për zhvillime të pritshme, për grumbullime në qendër të Prishtinës dhe për mundësinë që situata të përshkallëzohet brenda një kohe të shkurtër.
Ky paralajmërim ngre një pyetje të natyrshme: Çka po di Amerika për zhvillimet e mundshme në Prishtinë, që ende nuk janë bërë të ditura publikisht?
Në njoftimin e saj, Ambasada thotë se protestuesit pritet të mblidhen kryesisht në qendër të qytetit, ndërsa tubimet mund të zgjerohen edhe në zonat përreth.
Për më tepër, përfaqësia diplomatike amerikane paralajmëron se protestat mund të nisin në mënyrë paqësore, por të përshkallëzohen pa paralajmërim, duke shkaktuar pengesa në qarkullim, ndërprerje të shërbimeve dhe mbyllje të rrugëve.
Paralajmërim rutinor apo informacione që nuk janë publike?
Ambasadat amerikane në vende të ndryshme të botës publikojnë rregullisht paralajmërime të sigurisë për qytetarët e tyre. Kjo është pjesë e praktikës diplomatike dhe konsullore, sidomos në periudha tensionesh politike apo tubimesh publike.



