Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se kërkesa për drejtësi në procesin në Hagë dhe integrimi evropian i Kosovës ecin së bashku.
Në një përgjigje për Gazetën Express lidhur me deklaratat e Bashkimit Evropian për Ligjin për Dhomat e Specializuara, Çitaku ka theksuar se PDK-ja i trajton seriozisht shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe pret diskutim të mbështetur në argumente juridike.
“Partia Demokratike e Kosovës i merr seriozisht shqetësimet e shprehura nga Bashkimi Evropian lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara. Partneriteti me BE-në dhe respektimi i obligimeve ndërkombëtare janë pjesë e orientimit tonë të palëkundur shtetëror. Pikërisht për këtë arsye, presim që diskutimi për ligjin të zhvillohet mbi dispozita konkrete dhe argumente juridike”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka përsëritur ftesën për përfshirjen e BE-së dhe partnerëve të tjerë në procesin e amendamentimit të ligjit, duke theksuar se konsultimet duhet të reflektohen në përmbajtjen e ndryshimeve.
“Ne kemi paralajmëruar një proces amendamentimi dhe kemi shprehur publikisht gatishmërinë për konsultime. E përsërisim ftesën për Bashkimin Evropian, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe ekspertët juridikë që të kontribuojnë me vërejtje dhe propozime konkrete. Për ne, konsultimi duhet të ketë ndikim real në përmbajtjen e ndryshimeve”, ka thënë ajo.




