Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në opozitë, Vlora Çitaku, thotë që pret që gjatë kësaj jave të thirret seanca për rivotimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Çitaku thotë se pas miratimit, do të nisë procedura e ndryshimit të ligjit, duke ftuar partnerët ndërkombëtarë të kontribuojnë në këtë proces.
Javën e kaluar, seanca plenare e Kuvendit u ndërpre në mungesë kuorumi, duke pamundësuar që deputetët të votonin për Ligjin e ndryshuar për Gjykatën Speciale.
Ligji pësoi ndryshime më 6 tetor. Por, u kthye në rishqyrtim në Kuvend nga Presidenca me kërkesë të PDK-së. Pas rivotimit të tij, PDK thotë se do të nisë procesi i ndryshimit të ligjit.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar kabinetin e kryeparlamentares Albulena Haxhiu për të kuptuar se kur pritet të vazhdojë seanca që ka në rend dite këtë ligj, por deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.
“Menjëherë pas votimit, do të nisim procesin e amendamentimit për ta fuqizuar ligjin dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e tij juridike. I ftojmë partnerët tanë ndërkombëtarë të kontribuojnë përmes konsultimeve përmbajtësore dhe propozimeve konkrete. Kërkesa jonë për një proces të drejtë, bashkëpunimi me partnerët dhe rruga evropiane e Kosovës nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën”, thotë Çitaku për Radion Evropa e Lirë.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara nxitën kundërshtime nga Bashkimi Evropian, i cili paralajmëroi se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Ato u miratuan pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 16 shtator. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi u gjetën fajtorë për krime lufte. Mbrojtja po përgatitet që ta apelojë vendimin e shkallës së parë, teksa Qeveria ka krijuar një grup punues për hartimin e një strategjie për fazën e apelit.
Çitaku thotë se në këtë periudhë, që e cilësoi sfiduese për Kosovën, ruajtja e kohezionit të brendshëm kërkon “maturi, bashkëpunim dhe vendosmëri”.
Ajo thotë se pret që ligji të jetë pika e parë në rend dite në seancën e radhës dhe shprehet e bindur që të gjitha palët do të tregojnë “konstruktivitet dhe përgjegjësi” sikurse më 6 tetor, kur u miratua i njëjti.
“Në prag të vendimit të nesërm për administrimin e drejtësisë, padrejtësitë e këtij procesi e bëjnë më urgjent se kurrë ligjin që synon ta kthejë gjykatën në binarët për çka është e thirrur: atë të drejtësisë”, tha Çitaku.
Ajo iu referua shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit dhe personave të tjerë që akuzohen për pengim të drejtësisë. Në këtë rast, Prokuroria në Hagë ka kërkuar dënim prej 6 vjetësh burgim për ish-presidentin e Kosovës.
Ndryshimet në Ligjin e Dhomave të Specializuara të Kosovës u përkrahën nga deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe ata të Aleancës. Nga LVV-ja kanë thënë se sërish do të votojnë për ligjin, megjithatë nga kjo parti kanë thënë po ashtu se ka një “nguti të pashpjegueshme” dhe “dyshime serioze” për zbatueshmërinë e ligjit.
Pse Ligji për Specialen u kthye në Kuvend?
Më 22 tetor, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula ktheu në Kuvend ligjin e ndryshuar, të miratuar më 6 tetor. Kjo u bë me vetë kërkesën e PDK-së, që argumentoi se synimi ishte që të forcohej baza juridike dhe sigurimi në praktikë i ligjit.
Tani, PDK-ja po kërkon që ligji të miratohet sërish, pa ndryshime në përmbajtjen e tij, ndërkaq mangësitë e tij të përmirësohen përmes një nisme të re legjislative.
Në mënyrë që ligji i 6 tetorit të konsiderohet i shpallur, duhet së paku që 61 deputetë të votojnë për të. Në të kundërtën, ai konsiderohet i pamiratuar.
Megjithatë, edhe futja në rend dite për rivotimin e Ligjit për Specialen nxiti reagime nga ndërkombëtarët, të cilët shprehën shqetësim. BE-ja, që i ka cilësuar ndryshimet si të papranueshme, ka thënë po ashtu se po zhvillon konsultime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet e miratuara më 6 tetor.

