Buxheti prej 177 milionë eurosh i paraparë për Policinë, nuk premton të adresojë shqetësimet me të cilat përballet ky institucion, kanë vlerësuar deputetë nga opozita e njohës të çështjeve të sigurisë.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se kushtet në Polici janë alarmante dhe se buxheti i ndarë për vitin 2027, nuk është reformues.
“Motivi i lartë patriotik e profesional i policëve po e mban institucionin në nivel të lartë përkundër kushteve të rënda të punës. Fatkeqësisht buxheti për vitin 2027 për Policinë nuk është reformues dhe avancues. Është njëlloj mbajtje e gjendjes. Mungesa e investimeve kapitale, sikurse ishte në vitin 2026, është shenjë serioze e keqmenaxhimit nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, ka thënë Ramadani.
E ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, u shpreh se problematikat me uniforma, pajisje logjistike e gjëra të tjera me të cilat përballet aktualisht Policia, janë shqetësuese. Sipas tij, do të duhej planifikim më i mirë.
“Natyrisht që buxheti duhet t’i adresojë këto shqetësime dhe për të pasur buxhet të mirëfilltë që i plotëson të paktën rreth 90 për qind të nevojave reale të Policisë, do të duhej një planifikim i mirë dhe i duhur me kohë që të adresohen saktë mangësitë dhe nevojat reale të punonjëseve të Policisë për t’u ballafaquar me situatën, të cilat ata vijnë për shkak të detyrës zyrtare”, ka thënë Hoxha.




