Një zjarr ka shpërthyer në orët e para të së hënës në objektin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjakovë.
Sipas njoftimit të Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Gjakovë, rreth orës 02:20 pas mesnatës, ekipet janë njoftuar për zjarrin dhe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Zjarri kishte përfshirë një pjesë të depos në bodrumin e objektit të QKMF-së.
Falë intervenimit të shpejtë të zjarrfikësve, zjarri u vu nën kontroll në kohë, duke shmangur përhapjen e tij në pjesët e tjera të objektit dhe dëmet e mëtejshme.
“Falë reagimit të shpejtë dhe intervenimit profesional, zjarri është lokalizuar me kohë, duke parandaluar përhapjen e tij në pjesët e tjera të objektit dhe dëmet e mundshme më të mëdha”, u bë e ditur në njoftim.
Njësia e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Gjakovë ka bërë të ditur se intervenimi është realizuar me sukses.
Deri më tani, në njoftimin e publikuar nuk janë dhënë detaje për shkakun e zjarrit apo për dëmet e shkaktuara.
Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Gjakovë, Lulzim Goqi, ka bërë të ditur se dyshohet që zjarri të jetë shkaktuar nga energjia elektrike.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, në bodrumin e objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjakovë, ka shpërthyer një zjarr, i cili dyshohet se është shkaktuar nga energjia elektrike”, u shpreh Goqi.
Ai ka theksuar se ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve ka parandaluar përhapjen e flakëve në pjesët e tjera të objektit.
“Falë reagimit dhe ndërhyrjes së shpejtë të Brigadës së Zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar në kohë dhe është parandaluar përhapja e tij në pjesët e tjera të objektit”.
Sipas Goqit, nga incidenti nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
“Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar, as nga personeli shëndetësor dhe as nga qytetarët. Nga kjo ngjarje janë shkaktuar vetëm dëme materiale”.
Pavarësisht incidentit, shërbimet shëndetësore dhe ato të kujdesit emergjent në QKMF kanë vazhduar pa ndërprerje.