Kryeministri Albin Kurti, gjatë debatit në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, ka mbrojtur politikat ekonomike të Qeverisë së tij, duke thënë se të hyrat buxhetore janë rritur për 135 për qind në gjashtë vjetët e fundit.
Kurti ka thënë se në vitin 2021, kur Qeveria e tij mori mandatin e plotë, të hyrat buxhetore ishin 1.7 miliard euro, ndërsa vitin e ardhshëm pritet të arrijnë në 4 miliardë euro.
“Ne i përmbahemi zotimeve tona, ato nuk janë vetëm për vitin 2027, por më shumë se aq. Por këtu u përmend edhe qeverisja jonë deri më tani, besojmë që ajo ofron gjithë bazën e nevojshme për optimizimin e mëtejshëm. Nuk do të duhej të harrohen shifrat kryesore, në vitin 2021 kur qeverisëm në mandatin e plotë, madje edhe më gjatë se aq për shkak se përsëriteshin zgjedhjet, të hyrat buxhetore ishin 1.7 miliard euro, ndërkaq të hyrat në vitin e ardhshëm do të jenë 4 miliardë euro.
Për gjashtë vjet, të hyrat buxhetore rriten për 135 për qind. Rritja e tyre, nga 1.7 miliard në 4 miliard për gjashtë vjet, besoj që është e dhënë mbresëlënëse”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka folur edhe për rritjen e importeve, duke thënë se kjo lidhet me rritjen e fuqisë blerëse dhe zgjerimin e klasës së mesme në Kosovë.




