“Energjia nuk është luks”, kjo është një simbolikat përmes së cilës ka vendosur Partia Demokratike e Kosovës në aksionin simbolik të mbajtur para Ministrisë së Ekonomisë, kjo për të shprehur kundërshtimet në lidhje me kërkesën që KESCO e ka bërë për të rritur çmimin e energjisë edhe për 21.3 për qind.
Gjatë aksionit, të rinjtë lanë para Ministrisë një faturë simbolike të përmasave të mëdha, si simbolikë për çmimet e larta të jetesës të familjeve kosovare.
Në emër të Rinisë Demokratike të Kosovës, para mediave foli kryetari i degës në Prishtinë, Trim Syla, i cili theksoi se ky aksion është një thirrje për përgjegjësi dhe ndalje të goditjes së drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve.
“Sot s’kemi ardhë me pankarta. Kemi ardhë me një faturë. Një faturë që po e ngulfat jetën e qytetarëve çdo muaj. Një familje në Kosovë, me 1000 euro të ardhura mujore, ka 1085 euro shpenzime bazike. Pa luks. Pa pushime. Pa kursime. Vetëm bukë. Vetëm rrymë. Vetëm ngrohje. Vetëm qira, ilaçe dhe shkollë për fëmijët. Minus 85 euro çdo muaj. Çdo muaj fillon me borxhe. Çdo muaj mbyllet me frikë”, tha Syla.
Syla tha se kjo është për një familje ku dy anëtarë janë të punësuar.
