Në kulmin e sezonit veror, eurot janë shtuar edhe më shumë në treg nga hyrjet e turistëve dhe emigrantëve që kthehen në Shqipëri, duke bërë që leku të forcohet edhe më tej.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 euro po këmbehet për 92.6 lekë, një rënie e vlerës me 4.7% krahasuar me një vit më parë, kur euro këmbehej për 97.3 lekë ose, thënë ndryshe, nëse kjo kartëmonedhë 20 euro vlente 1942 lekë në gusht 2025, tani këmbehet për 1852 lekë. Efekte që ndihen jo vetëm te familjet, pagat, importet dhe eksportet, por dhe në sektorë të tjerë.
Në pikat e këmbimit valutor, si dhe në biznese të ndryshme, euro ka prekur edhe nivele më të ulëta, duke u këmbyer edhe për 90 lekë.
Por ky ndryshim nuk është thjesht një shifër në tabelat e këmbimit valutor. Zhvlerësimi i euros krijon fituesit dhe humbësit në ekonominë vendase. Më të favorizuar janë qytetarët dhe bizneset që paguajnë në euro si për kredi, importe apo udhëtime jashtë vendit, si dhe borxhi i jashtëm i vendit, edhe më i lirë. Në anën tjetër, eksportuesit, sektori i turizmit që arkëton në euro, individët që marrin paga në këtë monedhë, si dhe familjet që marrin të ardhura nga emigracioni, përfitojnë më pak lekë për të njëjtën shumë në euro.
Por forcimi i lekut ndihmon politikën monetare në një tjetër drejtim, një monedhë më e fortë e bën më të lirë koston e mallrave të importuara dhe ndihmon në frenimin e presioneve inflacioniste. Banka e Shqipërisë e ka konsideruar mbiçmimin e kursit një mekanizëm që ndihmon ekonominë të përshtatet dhe ruan fuqinë blerëse.


