Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesin e numërimit të votave që i takojnë votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr më 13 dhe 14 tetor nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.
Numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar nga KQZ, është mbi 29,600.
“Nga këto 23 kuti postare, janë tërhequr 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat i janë nënshtruar procesit të vlerësimit. Vlerësimi ka për qëllim të vërtetojë se pako është dërguar nga votuesi i regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës. Nga të dhënat që kemi nga shërbimi votues, numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar është 29,636, ndërkaq janë refuzuar 3,977. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 3,660 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, tha Elezi.
