Në Gjykatën Speciale në Hagë pritet vendimi përfundimtar në gjyqin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Avokati Artan Qerkini vlerëson se provat janë në anën e mbrojtjes dhe kërkon pafajësi, ndërsa nga Gjykata nuk japin detaje nëse vendimi mund të merret brenda 90 ditëve.
Fjalët përmbyllëse në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit përfunduan më 18 shkurt, ndërsa më 19 maj bëhen 90 ditë nga mbyllja zyrtare e rastit. Tashmë, gjithçka mbetet në duart e trupit gjykues, në pritje të vendimit final.
Avokati Artan Qerkini thotë se, ndonëse vlerësimi final i provave bëhet gjatë vendimmarrjes, një pjesë e tyre është analizuar edhe gjatë gjykimit. Qerkini thekson se drejtësia është më e rëndësishme sesa shpejtësia e procesit.
“Marrë parasysh faktin se trupi gjykues ka pasur vetëm këtë çështje në trajtim, besoj se një pjesë eprovave janë vlerësuar edhe gjatë gjykimit. Por vlerësimi përfundimtar bëhet në fazën e vendimmarrjes. Nëse nevojitet kohë shtesë, është e natyrshme që ajo të merret për të siguruar një vendim të drejtë”, tha ai për RTK.
Sipas Qerkinit, edhe pse prokuroria ka paraqitur numër të madh provash dhe dëshmitarësh, cilësia e tyre mbetet e diskutueshme.
