Pas vrasjes së Arlinda Zekaj dhe vënies në pah të neglizhencës institucionale, përfshirë këtu policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin në Pejë, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka vizituar sot Prokurorinë e Pejës.
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, së bashku me zëvendëskryeprokurorin e Shtetit, Bahri Hyseni, prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Ersan Qavolli, njëherësh Koordinator Nacional për Rastet e Dhunës në Familje, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Gjatë takimit me prokurorët e kësaj prokurorie, Kryeprokurori i Shtetit ka theksuar se çdo rast penal duhet të trajtohet me seriozitetin, përgjegjësinë dhe ndjeshmërinë e duhur, duke marrë parasysh natyrën, peshën dhe rrezikshmërinë e veprës penale, si dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme procedurale.
“Vëmendje e veçantë i është kushtuar trajtimit të rasteve të dhunës në familje, me ç’rast Kryeprokurori Gashi ka kërkuar vigjilencë, kujdes dhe profesionalizëm institucional në të gjitha këto raste, duke theksuar rëndësinë e vlerësimit të rrezikut, reagimit në kohë dhe mbrojtjes efektive të të drejtave të viktimave në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”,thuhet në njoftimin për media.
Tutje, Kryeprokurori i Shtetit i ka njoftuar prokurorët e Prokurorisë Themelore në Pejë për themelimin e mekanizmave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së punës brenda institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të prokurorëve, si dhe për caktimin e prokurorëve mbikëqyrës nëpër prokuroritë e vendit, përfshirë edhe Prokurorinë Themelore në Pejë.
Në anën tjetër, Kryeprokurori i Shtetit është njoftuar nga ushtruesja e detyrës së Kryeprokurores, Valbona Haxhosaj, dhe prokurorët e kësaj prokurorie lidhur me gjendjen e përgjithshme, ngarkesën me lëndë, sfidat dhe çështjet e tjera që ndërlidhen me funksionimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.