Një zhvillim i rëndë dhe thellësisht tronditës ka dalë sot në sallën e gjykatës, gjatë dëshmisë së të akuzuarit Granit Plava, në një nga rastet më makabre që ka prekur opinionin publik në Kosovë vitet e fundit.
Gjatë mbrojtjes së tij, Plava ka bërë një deklaratë që pritet të shkaktojë valë të forta reagimesh. Ai deklaroi se gjatë planifikimit të vrasjes së tani të ndjerës Liridona Ademaj, i akuzuari tjetër Naim Murseli i kishte thënë se për këtë krim ishte në dijeni edhe Behgjet Pacolli.
Sipas këtij rrëfimi, Murseli i kishte dhënë siguri Plavës se, për shkak të pushtetit dhe ndikimit që Naim Museli dhe Behxhet Pacolli kanë, ai nuk do të qëndronte më shumë se dy vite në burg, duke krijuar kështu një perceptim të frikshëm për një skemë të paramenduar dhe të mbështetur në besimin për imunitet nga drejtësia.
Ky deklarim, nëse provohet ose edhe vetëm nëse hetohet seriozisht, e ngre çështjen në një nivel krejt tjetër – nga një vrasje e rëndë familjare, në një aferë potencialisht me implikime të thella politike dhe institucionale.
Rasti i vrasjes së Liridona Ademaj ka qenë që nga fillimi një ndër ngjarjet më të rënda dhe më të diskutuara në vend. Fillimisht u raportua si grabitje që përfundoi me fatalitet, por hetimet zbuluan një skenar të dyshuar të organizuar, ku në qendër qëndronte bashkëshorti i saj.
