Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka komentuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Gruda tha se aktgjykimi, sipas tij, i ka adresuar pretendimet që PDK-ja i kishte ngritur që nga 6 gushti, duke theksuar se afatet kushtetuese nuk mund të zhvendosen përmes zvarritjes së procedurave parlamentare.
“Çdo gjë që kemi thënë ne prej 6 gushtit, kur është mbajtur mbledhja e parë e Kuvendit, është vërtetuar në këtë aktgjykim. Ne kemi thënë që afatet që ekzistojnë në Kushtetutë nuk mundet një parti politike me i zhvendos”, tha Gruda.
Ai theksoi se, sipas interpretimit të tij të aktgjykimit, zvarritja e konstituimit të Kuvendit nuk mund të përdoret për të shtyrë afatin për zgjedhjen e presidentit.
“Gjykata Kushtetuese sot e konfirmoi këtë. Më vjen mirë që e ka thënë shumë qartë”, u shpreh ai.
Gruda rikujtoi edhe vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me fillimin e afatit për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se Kuvendi është dashur të konstituohej më 7 gusht.



