Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, e ka cilësuar si të pandershme qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kërkesës për ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Gruda ka thënë se pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në PDK kanë pritur një reflektim politik nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas tij, pritshmëritë kanë qenë që pas vendimit të krijohej një diskutim më i gjerë dhe të liheshin anash interesat partiake.
“Lëvizjes Vetëvendosje po i mungon vetëdija edhe përgjegjësia shtetërore. Unë jam i befasuar me sjelljen e tyre pas vendimit të Hagës. Kemi pritur që pas atij vendimi të ketë një diskutim ku lihen anash interesat partiake. Nuk mundesh sot që PDK-ja ta sjellë një ligj për ta mbrojtur UÇK-në, e ti me i thënë: ‘A i ke votat për president?’ Është e pandershme. Pra, u kushtëzuam. Është e pandershme vetëm me e fut në atë debat. Do të thotë, në një fatkeqësi kaq të madhe kombëtare, ti e fut në debat duke thënë: ‘Po dua edhe pak pushtet’. Unë, si PDK, të them që po dua pak dinjitet me e mbrojt UÇK-në, e ti më thua: ‘Po dua edhe pak pushtet’. Ti e ki parlamentin, e ki qeverinë dhe po don akoma pushtet. E kur? Në një moment kaq të ligë për këtë vend, është e pandershme. Së pari, me e hap si debat është shumë e pandershme. Po, është çështja e presidentit, por ti duhet njëherë të përgjigjesh në këtë çështjen e Speciales”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se nuk ka pritur që diskutimi pas vendimit të Dhomave të Specializuara të reduktohej në çështje të pushtetit apo në akuza rreth asaj se kush dhe pse e ka themeluar këtë institucion.


