Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka komentuar dështimin e seancës së sotme të Kuvendit, ku mandatarit të propozuar nga Vetëvendosja, Glauk Konjufca, nuk iu dha mbështetja për formimin e qeverisë. Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Haliti tha se Vetëvendosja ka dështuar të krijojë marrëveshje politike, duke lënë vendin për muaj të tërë pa qeveri funksionale.
Haliti vlerësoi se situata me Konjufcën është e njëjtë si me kandidatët e mëparshëm të kësaj partie.
“Mendoj që është e njëjta situatë si me Galukun, si me Albinin, sepse ata kanë të njëjtën politikë. Duhet të zbatojnë politikën e partisë së vet dhe besoj që nuk duhet të veprojnë pa marrëveshje,” u shpreh ai.
Ai theksoi se deputetët shpesh fokusohen në aspiratat për pushtet, duke anashkaluar interesat e qytetarëve.
“Ne shumë herë flasim për pushtet dhe harrojmë që deputeti është përfaqësues i popullit. Në radhë të parë duhet parë interesin e popullit dhe jo të pushtetit,” deklaroi Haliti.
Sipas tij, vendi ka humbur 10 muaj pa qeveri, ndërsa mosarritja e marrëveshjes nga Vetëvendosja për krijimin e shumicës është përgjegjësi e saj.
