Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se e ka dekoruar pas vdekjes akademik Rexhep Qosjen, me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës”.
Haxhiu ka thënë se ky titull është shenjë mirënjohjeje për një jetë të tërë në shërbim të dijes, lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
“Rexhep Qosja ishte një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë, shkencës dhe mendimit shqiptar. Me veprën e tij të gjerë, me qëndrimin e tij publik dhe me përkushtimin ndaj çështjeve të mëdha të kombit, ai la gjurmë të thella në kulturën shqiptare dhe në vetëdijen tonë kombëtare. Ky titull është shenjë mirënjohjeje për një jetë të tërë në shërbim të dijes, lirisë dhe dinjitetit kombëtar. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, ka shkruar Haxhiu.
