Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Kosovë po kërkohet unitet dhe bashkërendim institucional për hapat e mëtejshëm. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje institucioneve dhe partive politike që t’i lënë mënjanë përçarjet dhe akuzat e ndërsjella.
Haxhiu thotë se në këtë periudhë Kosovës nuk i duhen përçarjet dhe akuzat e ndërsjella, por një qasje e përbashkët dhe koordinim për veprimet që mund të ndërmerren në vijim, për të cilat tha se tashmë kanë filluar diskutimet.
“Në këto momente të rënda, nuk na duhen përçarje, se kush qenka spiun e kush tradhtar. Ajo që na duhet është t’i lëmë anash ato dhe të koordinohemi për veprimet që duhet t’i bëjmë tutje”, ka thënë Haxhiu.
E gjithë kjo situatë, sipas Haxhiut, duhet të trajtohet si prioritet, ndërsa veprimet e ardhshme duhet të jenë të koordinuara, në mënyrë që të shmanget çdo hap që, sipas saj, mund t’ia rëndojë më tej pozitën Kosovës apo edhe pozitën e të dënuarve në Hagë.




