Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim auditoren e përgjithshme, Vlora Spanca, të cilën e ka përgëzuar për punën e saj dhe rizgjedhjen për një mandat të ri pesëvjeçar.

Përmes një postimi, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e raporteve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për mbikëqyrjen parlamentare.

“Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit përbëjnë një bazë të rëndësishme për mbikëqyrjen parlamentare. Në legjislaturën e njëmbëdhjetë, Kuvendi do t’i shqyrtojë me seriozitet këto raporte dhe do t’u kërkojë institucioneve llogari për zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Paraja publike u përket qytetarëve, të cilët kanë të drejtë të dinë se si shpenzohet çdo euro e mbledhur nga taksat e tyre. Llogaridhënia nuk është zgjedhje, por detyrim institucional dhe parim themelor i sundimit të ligjit”, shkroi Haxhiu.