Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke theksuar se viti 2025 do të mbahet mend si vit zgjedhor, me tri procese zgjedhore dhe katër herë dalje në votime. Ai ka deklaruar se, ndonëse pritjet ishin më të mëdha, LDK nuk arriti t’i kapitalizojë zgjedhjet në mënyrën më të mirë, duke përmendur si faktorë popullizmin, presionin dhe frikën e mbjellë gjatë fushatës .
Haziri ka theksuar se LDK ka dalluar gjithmonë nga partitë e tjera për qasjen e saj, duke promovuar paqen, bashkëpunimin dhe normalitetin politik, edhe në rrethana të vështira.
Ai ka bërë thirrje për reflektim të thellë brenda partisë, duke vlerësuar se pragmatizmi, i cili sipas tij ka qenë sinonim i LDK-së, është zbehur, shqetësim që thotë se e ka shprehur edhe më herët publikisht.
Pavarësisht rezultatit të pafavorshëm në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Haziri ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë ndaj LDK-së, duke e cilësuar partinë si shtëpi të përbashkët që ka dhënë dije, përkushtim dhe shpresë për Republikën. Ai ka kujtuar trashëgiminë politike të Ibrahim Rugovës, duke theksuar se LDK mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të tolerancës dhe respektit, ndërsa ka uruar që viti 2026 të jetë më i mirë për të gjithë qytetarët