Kosova po përballet me një realitet diplomatik ku mungesa e stabilitetit të brendshëm politik po reflektohet gjithnjë e më shumë jashtë vendit. Pa njohje të reja, pa anëtarësime të rëndësishme në organizata ndërkombëtare dhe me një raport të zbehur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi, sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbetur pa një politikë të mirëfilltë të jashtme.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Hoxhaj ka thënë se politika e jashtme është drejtpërdrejt e lidhur me atë të brendshme, duke vlerësuar se Kosova që nga viti 2019 nuk ka pasur ambicie të mjaftueshme për ta avancuar pozitën e saj ndërkombëtare.
“Së pari ne kemi një situatë politike ku nuk kemi stabilitet të brendshëm. Jemi vend i cili nuk ka qartësi të brendshme politike. Politika e jashtme është veç zgjatim i politikës së brendshme. Nëse s’ka politikë të brendshme, s’ka as politikë të jashtme. Por të gjitha qeveritë nga 2019-ta nuk kanë treguar vullnet, interes dhe ambicie politike për të marrë njohje, për të marrë anëtarësime në organizata ndërkombëtare, për ta fuqizuar raportin tonë me SHBA-të, për ta marrë statusin e kandidatit. Prandaj Kosova në këto shtatë vitet e fundit, prej 2019-ës e deri më tash, jo vetëm vitet e fundit, realisht nuk ka pasur politikë të jashtme dhe kjo gjendje tregon për mjerimin politik në të cilin është Kosova”, ka deklaruar Hoxhaj.
Duke folur për dialogun me Serbinë, Hoxhaj ka kritikuar marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj të zbatimit në Ohër, duke thënë se këto marrëveshje, sipas tij, kanë dëmtuar shtetin e Kosovës.
“Ajo se çfarë ka ndodhur në këto tre vitet e fundit është Albin Kurti me marrëveshjen e Brukselit, e cila është negociuar në fshehtësi. Se ne nuk e dimë se kur ka pasur takime për këtë marrëveshje të Brukselit, dhe me marrëveshjen e Ohrit, që është aneksi i zbatimit në Bruksel, e cila ka qenë një ditë negociata në Ohër dhe shpallje e marrëveshjes në mbrëmje, ia ka dhënë goditjen më të madhe shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Hoxhajt, marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit kanë krijuar, siç pretendon ai, hapësirë për funksionimin e dy sistemeve politike në Kosovë.
“Nëse ka pasur një goditje që e ka këputur në kurriz, që ka goditur në palcë shtetin e Kosovës, është marrëveshja e Brukselit e Ohrit, e cila marrëveshje serbëve në Kosovë u jep një autonomi të zgjeruar, Kishës Ortodokse Serbe ia jep një autonomi kishtare dhe komunitetin serb realisht e vendos në një rrafsh të vetëqeverisjes autonome, të pavarur. Në fakt janë krijuar dy sisteme paralele politike: sistemi politik i Republikës së Kosovës dhe gjithçka që është paraparë me marrëveshjen e Brukselit e Ohrit. Mendoj që është prej dëmeve të mëdha”, është shprehur Hoxhaj.
Ai ka thënë se në dy vitet e fundit ka pasur zbatim të njëanshëm të disa elementeve të marrëveshjes, pavarësisht mungesës së takimeve të rregullta në Bruksel.
“Dhe çfarë ka ndodhur gjatë këtyre dy viteve të fundit, e veçanërisht vitit të fundit, është se shumë elemente të kësaj marrëveshjeje janë zbatuar në mënyrë të njëanshme. Nuk ka pasur takime në Bruksel, por ka pasur zbatim në terren. Si shembull e keni ligjin për të huajt, i cili nuk është gjë tjetër veçse një politikë e rikolonizimit, e rikolonizimit të Kosovës”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.
Hoxhaj ka bërë një krahasim me politikat e kolonizimit të Kosovës gjatë viteve ’20 dhe ’30 të shekullit të kaluar.
“Nëse në vitet ’20-’30 të Shekullit XX ka pasur një politikë të kolonizimit serb të Kosovës për ta ndryshuar strukturën demografike të Kosovës, ligji për të huajt është qëllimi, janë objektivat dhe janë fryma e njëjtë e politikës së njëjtë e cila në të kaluarën është ndjekur prej regjimeve më brutale serbe në raport me Kosovën për ta ndryshuar strukturën demografike të Kosovës. Dhe kjo gjë ka ndodhur në mënyrë të njëanshme, do të thotë, duke mos parë pamje nga takimet në Bruksel, por duke e ndryshuar gjendjen për të keq në terren”, ka thënë ai.




