Ish-kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj tha se kërkesa e Prokurorisë së Specializuar në Hagë për dënim prej 180 vjetësh burgim për Hashim Thaçin dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së është “ndërhyrje brutale politike”.
“Kërkesat e Prokurorisë Speciale për dënime ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk përbëjnë drejtësi të paanshme, por një ndërhyrje politike brutale që synon rishkrimin e historisë së Kosovës përmes një operacioni special, e cila në thelb përfaqëson përndjekje selektive ndaj Kosovës. Në vend që të trajtohet pushteti gjenocidal serb, vëmendja zhvendoset te rezistenca, duke kriminalizuar luftën çlirimtare dhe duke relativizuar agresionin shtetëror serb”, tha ai në një postim në Facebook.
Hoxhaj tha se “Serbia ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq si reagim i domosdoshëm ndaj këtij realiteti, si formë e mbrojtjes dhe rezistencës ndaj okupimit”.
“Çdo përpjekje për ta nxjerrë këtë luftë jashtë këtij konteksti përbën shtrembërim të së vërtetës historike”, tha ai.
