Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), gjatë kontrolleve kufitare dhe inspektimeve në tregun e brendshëm, ka konstatuar praninë e aflatoksinës mbi kufijtë e lejuar në produkte të një kompanie nga Gjilani, duke ndërmarrë masa për refuzimin e importit, ndalimin e shitjes dhe tërheqjen e produkteve.
Gjatë kontrollit kufitar të një ngarkese prej 25 mijë e 120 kg misër merkantil, analizat laboratorike të AUV kanë konstatuar aflatoksinë B1 në nivel prej 30 µg/kg, ndërsa analizat e IKSHPK-së kanë konfirmuar aflatoksinë totale prej 47 µg/kg, mbi vlerën referente prej 10 µg/kg.
Inspektorati Fitosanitar i AUV ka vendosur refuzimin e importit dhe kthimin e ngarkesës në vendin e origjinës.
Gjatë inspektimeve të mëtejshme, analizat laboratorike të AUV kanë konstatuar aflatoksinë B1 mbi nivelin e lejuar edhe në produktin “Ushqim për viça deri 300 kg”. Inspektorati i AUV ka ndaluar shitjen dhe ka urdhëruar tërheqjen e produktit të identifikuar nga qarkullimi.
Aflatoksina B1 është një substancë toksike e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e kancerit gjatë ekspozimit afatgjatë. Te kafshët qumështore, ajo mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1, duke paraqitur rrezik edhe për sigurinë ushqimore. /kp