Më 7 qershor 2026, në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për këtë proces zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 21 subjekte politike dhe gjithsej 902 kandidatë për deputetë.
Sikurse edhe në proceset e mëhershme zgjedhore, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), bazuar në të dhënat e monitorimit të proceseve gjyqësore, ka publikuar raportin “Integriteti i listave zgjedhore – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 7 qershor 2026”. Në këtë raport janë paraqitur kandidatët për deputetë që janë të përfshirë në raste penale.
Sipas këtyre të dhënave, të prezantuara nga hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, del se nga 902 kandidatët e certifikuar për deputetë, 25 prej tyre, apo 2.77%, janë persona të përfshirë në raste penale. Prej tyre, 15 kandidatë kanë aktakuza aktive, ndërsa 13 kandidatë kanë dënime penale të formës së prerë. Po ashtu, për tre (3) kandidatë është evidentuar se, përveç dënimeve penale të mëhershme, kanë edhe aktakuza aktive.
Ndërkaq, Shala ka shtuar se në raport mund të ketë edhe raste të rehabilitimit ligjor.
“Sipas subjekteve politike, bazuar në të dhënat e monitorimit, rezulton se, në raport me tërësinë e 902 kandidatëve të certifikuar për deputetë, LVV ka numrin dhe peshën më të madhe të kandidatëve të përfshirë në raste penale, me 13 kandidatë, apo 1.44% të numrit të përgjithshëm të kandidatëve. Pas saj renditen AAK dhe LS me nga tre (3) kandidatë, apo me nga 0.33% të totalit të kandidatëve. KDTP ka dy (2) kandidatë të përfshirë në raste penale, që përbëjnë 0.22% të totalit, ndërsa PSD, PDK, SDU dhe IRDK kanë nga një (1) kandidat, apo nga 0.11% të numrit të përgjithshëm prej 902 kandidatëve”, ka thënë Shala.
Në aspektin e veprave penale, sipas kapitujve të Kodit Penal, sipas raportit dominojnë veprat që ndërlidhen me korrupsionin, ndërkaq sipas veprave penale dominon “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Konkretisht, 10 kandidatë janë evidentuar për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa shtatë (7) kandidatë për “Keqpërdorim të pozitës/detyrës apo autoritetit zyrtar”.
