Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën po vazhdon gjykimi në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Krasniqi edhe në këtë seancë u deklarua i pafajshëm.Trupi i ri gjykues në këtë rast ka këtë përbërje: Violeta Namani- Hajra, kryetare e trupit gjykues, Medie Bytyqi dhe Vesel Ismaili- anëtarë.
Më pas, u konstatuan të lexuara fjalët hyrëse dhe dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna më herët në këtë proces gjyqësor kur trupi gjykues kryesohej nga gjykatësi Arben Hoti, i cili tashmë është avancuar në Gjykatën e Apelit.Paraprakisht, me kërkesë të avokatit Virtyt Ibrahimaga, trupi gjykues deklaroi se nuk kanë pasur komunikim me prokurorin Dren Paca, i cili kishte dalë në kohë të pauzës nga pjesa e zyrave të gjyqtarëve. Edhe prokurori Paca mohoi të ketë pasur komunikim me trupin gjykues, përveçse me stafin e vet.
Krasniqi ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 8 tetor 2024. I pafajshëm ai u deklarua edhe në seancën e 3 korrikut 2025.Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 19 gusht 2024, akuzon Nagip Krasniqin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).Në aktakuzë thuhet se operatorit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531 mijë e 920 euro e 79 centë. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore. Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3 milionë e 229 mijë e 905 euro.
Nga provat e Prokurorisë, thuhet se ZRrE, KEK-ut i kishte shqiptuar dënim për shkak të shkeljeve të konstatuara në blerje të energjisë. Raporti i Zyrës së Regullatorit kishte gjetur se bazuar në legjislacionin e vendit, aktivitetet e tregtisë së energjisë mund të ushtrohen vetëm me licencë të lëshuar nga ZRrE, e që janë të regjistruara në Kosovë. Aty thuhet se aktivitetet pa licenca, mund të lejoheshin vetëm nëse operatorët kanë licencë në vendet e tyre të cilat mund të njihen në Kosovë vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet sipas rregullores për Licencimin e Aktiviteteve të Energjisë në Kosovë.Sipas aktakuzës, ZRrE kishte reaguar disa herë përmes shkresave dhe emailit zyrtar që KEK të veprojë në përputhje me ligjin dhe aktivitetet e tregtimit të energjisë me operatorë të palicencuar.
Tutje, thuhet se ZRrE më 19 gusht 2022, kishte monitoruar procesin e tregtimit në kohë reale dhe kishte vërejtur se pavarësisht vërejtjeve dhe kërkesave KEK kishte vazhduar të veprojë në kundërshtim me ligjin.Grupi punues i KEK-ut, ishte pajtuar që të respektonin të gjeturat e raportit të ZRRE-së. “Pavarësisht bindjeve dhe argumenteve të cekura më lartë, KEK do të respektoj përfundimisht qëndrimet e ZRrE-së, si një institucion i thirrur për rregullim të sektorit të energjisë i emëruar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës sipas legjislacionit në fuqi, i cili i jep ketë kompetencë. Në këtë rast, KEK do të ndërpresë tregtimin energjisë me tregtarë që nuk prezantojnë licencë apo dëshmi nga ZRrE që e dëshmojnë që nuk kanë licencë meqë janë shtjerrë të gjitha mundësitë me komunikimet që kemi pasur me ZRrE”, thuhet në aktakuzë.
Kjo përgjigje e grupit punues, sipas Prokurorisë nuk ishte dërguar e plotë. Në e-mailin e përcjellë nga Eljas Jashari, thuhet se ishin dërguar vetëm komentet mospajtuese që kundërshtonin të gjeturat e ZRrE-së, duke konsideruar se nuk kishin nevojë për licenca shtesë, meqë të njëjtat ishin të licencuara në shtetet e tyre.“Sipas përgjigjes së lartcekur rezulton se ZRrE-së nuk i ishin përcjellë qëndrimet e grupit punues të KEK, por qëndrimi personal i Nagip Krasniqit”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, thuhet se edhe nga opinioni i zyrës ligjore të KEK-ut, ku në ‘cc’ ishte edhe vetë i pandehuri Krasniqi, i kishte dhënë të drejtë ZRrE-së, duke e vënë në dijeni të akuzuarin Krasniqi që duhet të respektohet rregullatori pasi është autoriteti shtetëror që ka kompetencë për këtë fushë. Madje, sipas këtij opinioni edhe kur KEK-ka dërguar rastet në Gjykatë, ZRrE ka fituar rastet dhe kërkesëpaditë e tyte janë refuzuar, pasi kompetenca e tyre është përfundimtare për çështjet e energjisë elektrike.Nagip Krasniqit, sipas aktakuzës i ishte dërguar edhe një e-mail nga Departamenti i Menaxhimit të Tregtimit me Energjinë duke kërkuar nga Krasniqi konfirmimin nëse duhej tregtuar me operatorin “HSE”, duke theksuar se nga përgjigja dërguar ZRrE-se, nënkuptohej se duhej të vazhdohej tregtimi.




