Në takimin e Këshillit Prokurorial ka raportuar kryeprokurori i Prokurorisë Specale, Blerim Isufaj.
Anëtarja e KPK-së, Arlinda Muqa kërkoi nga Isufaj të tregojë nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim për informacionet që pretendoi se po rrjedhin për rastet nën hetim nga Prokuroria e drejtuar nga Isufaj.
“A është ndërmarrë ndonjë masë për të verifikuar nëse ekziston një burim i brendshëm i informacionit dhe për ta parandaluar rrjedhjen e mëtutjeshme?”, pyeti Muqa.
Isufaj u përgjigj shpejt: “A ma thua, zonja anëtare e Këshillit, cili është rasti që është trajtuar në Prokurorinë Speciale që paska rrjedhë te Paparaci, se unë s’po e di?”.
Muqa i tha se ka pasur “shumë lajme” që kanë dalë, ndërsa Isufaj insistoi: “Cilin rast prej Prokurorisë time e kanë publiku, se s’po e di. Ma thuani”.
“Është… shembulli konkret është rasti i prokurores Elza Bajrami, ka pasë raste edhe të Prokurorit të Shtetit…”, i tha Muqa.
Isufaj mohoi dhe i kërkoi anëtares që t’i tregonte se për çfarë bëhet fjalë konkretisht, dhe se nëse ai i merr informacionet e nevojshme do të marrë masa “me automatizëm”.



