Institucionet kosovare janë kthyer për kërkime në fshatin Kozhle, në zonën e Novi Pazarit, në Serbi, ku dyshohet për mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ky është viti i tretë që ky vend, ku dyshohet për mbetje mortore në një thellësi prej 15 metrash nga sipërfaqja e tokës, në një zonë të shfrytëzuar për deponi të mbeturinave – është pjesë e agjendës së kërkimeve, thotë Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës.
“Do të vazhdojnë gërmimet, pa një informacion të saktë për lokacionin. Kjo i bie që ne, si institucion, si delegacion, sigurisht që nuk mund t’i themi jo asnjë gërmimi në territorin e Serbisë, por megjithatë do të jemi shumë të kujdesshëm në kuptim të menaxhimit të pritshmërive”, shprehet Gara në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Aktualisht janë identifikuar tri pika për vlerësim në terren, bazuar edhe në pamje satelitore, pohon Gara, duke theksuar se këto pamje nuk mbulojnë periudhën më të rëndësishme.
“Nuk e dimë se si ishte gjendja në prill dhe maj 1999, kur ndodhi zbatimi i urdhrit ose strategjisë zyrtare të Beogradit ‘S’ka trup – s’ka krim’, kur ndodhi pastaj edhe bartja kufomave nga lokacioni ose nga vendi i masakrës, ose në lokacione të ndryshme në territorin e Serbisë”, thotë ai.
Identifikimi i viktimave nga varrezat masive në Zubin Potok
Ndërkohë, në Kosovë po vazhdon procesi i identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura gjatë verës së sivjetme në tri varreza masive në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë, në komunën veriore të Zubin Potokut.
Sipas autoriteteve, pas konfirmimit të tri viktimave të para – Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut – po vazhdon puna edhe për identifikimin e njëzet të tjerave.
Gara thotë se rezultatet për pjesën tjetër të mbetjeve mortore do të varen nga procesi laboratorik dhe mund të kërkojnë më shumë kohë.
“Afatet optimale që kemi prezantuar kanë qenë katër deri në gjashtë javë nga dërgimi i mostrave. Megjithatë, përvoja tregon që duhet më shumë kohë”, thotë Gara në intervistën për REL-in.
Procesi i identifikimit të mbetjeve të tjera tashmë është në duart e laboratorit që kryen analizat e ADN-së, në Hagë të Holandës.
“Çështja ka kaluar në pjesën e laboratorit të ADN-së, përkatësisht në Komisionin Ndërkombëtar [për Persona të Zhdukur]”, tregon Gara.
Ai thotë se mostrat u dërguan në fillim të shtatorit, pasi ekspertët mjekoligjorë përfunduan ekzaminimet e nevojshme.
Sipas Garës, pas marrjes së rezultateve të ADN-së, Instituti për Mjekësi Ligjore i Kosovës duhet të përfundojë edhe procedurat e konfirmimit të identitetit dhe dokumentacionit përkatës.
“Janë dokumente, disa prej të cilave duhet t’i dorëzohen familjeve, dhe pjesa tjetër pastaj do të dorëzohet tek institucionet përkatëse”, sqaron ai.
Varrezat në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë u konfirmuan pas një procesi hetimor disamujor të kryer nga institucionet e Kosovës, thotë Gara.


