Kafeneja “Lejas Café”, në të cilën kishte punuar Liridona Ademaj, ka reaguar në Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, duke kujtuar atë në prag të trevjetorit të vrasjes së saj.
Përmes një postimi në Facebook, stafi i kafenesë ka rikujtuar se më 29 nëntor bëhen tre vjet nga vrasja e Liridonës, të cilën e kanë përshkruar si kolege të dashur dhe nënë të përkushtuar ndaj fëmijëve të saj.
Në reagim, kafeneja ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës së Apelit në Kosovë, e cila konfirmoi dënimet për personat e përfshirë në vrasjen e saj.
Sipas vendimit, bashkëshorti i saj, Naim Murseli, dhe Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim.
“Liridona nuk është harruar. Kujtimi i saj vazhdon të jetojë dhe ne duam të vazhdojmë të tërheqim vëmendjen ndaj asaj që përjetojnë shumë gra dhe familje”, thuhet në reagimin e kafenesë.
“Lejas Café” ka falënderuar gjithashtu klientët që iu bashkuan aktiviteteve të organizuara në kuadër të “Orange Week”, duke ndihmuar në përhapjen e mesazhit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Në fund të reagimit, kafeneja ka përcjellë mesazhin se askush nuk duhet ta humbë jetën për shkak të dhunës dhe se asnjë familje nuk duhet të përjetojë dhimbjen që kanë kaluar familjet e Liridonës dhe Wilmas.
“Për Liridonën dhe fëmijët e saj. Për Wilman dhe familjen e saj. Për të gjitha gratë. Së bashku vazhdojmë ta përhapim këtë mesazh”, thuhet në postim.