Fegja Dimoviq, kandidat i Listës Studentore në Serbi, tha se Kosova zë një vend të rëndësishëm në programin politik të kësaj liste, e cila e konsideron atë “pjesë përbërëse të Serbisë” dhe “shtyllë të identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor”.
Dimoviq, së bashku me pesë kandidatë të tjerë dhe përfaqësues të lëvizjes studentore, vizituan Kosovën gjatë fundjavës.
Kjo ishte vizita e tyre e parë pas fitores në zgjedhjet në Serbi.
“Nga kjo vizitë kthehemi me forcën që do të na nevojitet për ta çliruar vendin tonë nga kthetrat e krimit të organizuar. Bashkëkombësve tanë në Kosovë u përcjellim një mesazh dashurie dhe solidariteti, me premtimin e qartë se nuk do t’i harrojmë kurrë”, shkroi Dimoviq në Facebook.
Lista Studentore ka deklaruar se, sa i përket Kosovës, do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron atë pjesë të territorit të saj, ndonëse Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur nga shumë shtete.
Siç shihet nga fotografitë, përveç Dimoviqit, në delegacionin e Listës Studentore ishin edhe Millena Petroviq, Emillija Markoviq, Jugosllav Gashiq, nga Universiteti i Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut, si dhe Nemanja Karoviq.
Gjatë vizitës në Kosovë, ata u takuan vetëm me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, njoftoi të dielën në mbrëmje Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit.
Sipas njoftimit, kandidatët e Listës Studentore u takuan në Manastirin e Graçanicës me mitropolitin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, për t’u njohur nga afër me jetën e komunitetit serb dhe me sfidat me të cilat përballet Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë.




