Dy kongresistë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, do të takohen sot me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, takimi do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, duke filluar nga ora 11:50.
Siç është njoftuar, delegacioni do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe me autoritetet amerikane dhe ndërkombëtare të sigurisë. Po ashtu, janë paralajmëruar takime edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.
Gjatë vizitës në Luginën e Preshevës, kongresisti amerikan nga radhët e Republikanëve, Keith Self, ka deklaruar se mes shqiptarëve dhe Serbisë ekzistojnë probleme reale.
“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, tha Self.
