Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe Banka Botërore kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për zhvillimin e Eko-Parqeve Industriale në Kosovë. Projekti synon zgjerimin e kapaciteteve prodhuese vendore, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, me fokus edhe në standardet mjedisore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zhvillimi i parqeve industriale është një prej mekanizmave për të adresuar deficitin e lartë tregtar të vendit. Sipas tij, gjatë vitit 2025 Kosova importoi mallra në vlerë prej rreth shtatë miliardë eurosh, ndërsa eksportoi vetëm rreth një miliard euro.
Kurti theksoi se synimi është që një pjesë e mallrave që aktualisht importohen të prodhohen në Kosovë, duke krijuar kushte më të favorshme për bizneset vendore dhe investitorët e huaj. Ai bëri të ditur se zhvillimi i parqeve industriale do të shtrihet në të gjitha rajonet e vendit, përfshirë edhe dy parqe në pjesën veriore të Kosovës.
Kurti: Zhvillimi i parqeve industriale është një prej mekanizmave për të adresuar deficitin e lartë tregtar të vendit.
“Përkundër rritjes ekonomike që kemi shënuar, na duhet të pranojmë se deficiti tregtar mbetet një nga sfidat kryesore të ekonomisë sonë. Gjatë vitit 2025, Kosova importoi mallra në vlerë shtatë miliardë euro, ndërkaq eksportoi rreth një miliard euro. Edhe në vitin 2026, pavarësisht rritjes së eksportit, hendeku tregtar po vazhdon të jetë i madh. Ne duam që sa më shumë mallra që sot i blejmë nga jashtë të prodhohen në Kosovë. Prandaj, parqet industriale i shohim si një nga mekanizmat që mund të ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi. Ato u ofrojnë bizneseve vendore hapësirën e nevojshme për t’i zgjeruar kapacitetet prodhuese. Krijojnë kushte më tërheqëse për investitorët e huaj që dëshirojnë të zhvendosin një pjesë të veprimtarisë së tyre prodhuese në vendin tonë. Për ne është me rëndësi që investimet e tilla të sjellin jo vetëm kapital, por edhe vende të reja pune, teknologji, njohuri dhe mundësi për bashkëpunim me furnizuesit vendorë…Zhvillimi i parqeve industriale do të shtrihet në të gjitha rajonet e Kosovës pa përjashtim, përfshirë edhe dy parqe në pjesën veriore të vendit tonë. Pas vendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Ibrit, po e zhvendosim gradualisht vëmendjen drejt zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve që jetojnë atje”, tha ai.
Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se marrëveshja shënon një hap të ri në bashkëpunimin për zbatimin e standardeve ndërkombëtare të eko-zonave industriale.
Ajo theksoi se industria e së ardhmes nuk duhet të vlerësohet vetëm për sasinë e prodhimit, por edhe për mënyrën se si prodhohet, efikasitetin në shfrytëzimin e burimeve dhe ndikimin në mjedis e shoqëri.
Sipas Kusari-Lilës, raporti i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) identifikon prodhimin e komponentëve të ndërtimit si një sektor me potencial të veçantë për ekonominë e Kosovës. Në këtë sektor përfshihen përpunimi i metaleve, prodhimi i dyerve dhe dritareve, mobilieve, materialeve izoluese dhe sistemeve të ngrohjes.
Kusari-Lila tregon cilët sektorë kanë potencial për ekonominë e Kosovës




