Republika e Kosovës ka shënuar një arritje të rëndësishme në fushën e inovacionit kundër korrupsionit. Nisma e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), “Shkolla për integritet dhe parandalim të korrupsionit: Fuqizimi i të rinjve për të ndërtuar një kulturë të integritetit”, u përzgjodh ndër pesë projektet më inovative në Evropë dhe pas procesit të votimit nga institucionet pjesëmarrëse të rrjetit, u rendit në vendin e dytë.
Sipas njoftimit, kjo arritje u bë e ditur sot pas vlerësimeve që janë bërë në kuadër të Konferencës së 25-të vjetore profesionale dhe Asamblesë së Përgjithshme të Rrjetit Evropian kundër Korrupsionit (EPAC) dhe Rrjetit Evropian të Pikave të Kontaktit kundër Korrupsionit (EACN), të mbajtur nga 5 deri më 7 tetor 2026 në Budvë – Mali i Zi.
Në konferencë, APK-ja u përfaqësua nga delegacioni i kryesuar nga drejtori Yll Buleshkaj, së bashku me udhëheqësin e divizionit për sinjalizim, Milot Shala.
Ngjarja mblodhi autoritete anti-korrupsion, organe të mbikëqyrjes së policisë, institucione të BE-së dhe organizata ndërkombëtare për të shkëmbyer përvoja rreth mbrojtjes së interesave financiare të BE-së, Inteligjencës Artificiale dhe mbrojtjes së sinjalizuesve.
