Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka lëshuar kritika të ashpra ndaj ekzekutivit lidhur me gjetjet e raportit të fundit të Bashkimit Evropian për Kosovën.
Nga foltorja e Kuvendit, ajo e ka cilësuar këtë dokument si më të dobtin në histori që nga fillimi i publikimit të raporteve të tilla, duke ia faturuar përgjegjësinë drejtpërdrejt Qeverisë në detyrë.
Lushaku-Sadriu deklaroi se raporti pasqyron dështimet e vazhdueshme të shtetit në secilën fushë dhe se pushteti nuk mund t’u ikë përgjegjësive duke u arsyetuar me krizat politike.
“Ky raport ishte ndoshta më i dobëti për nga rezultatet, historikisht prejse ka filluar publikimi i raporteve. Është përsëritje e dështimeve që shteti ynë i ka bërë në çdo fushë, edhe për shkak të krizave politike. Por të mos harrojmë që Qeveria ishte në detyrë dhe askush nuk e ka ndaluar Qeverinë tonë që t’i përmbushë këto kushte, të ndërmarrë reforma dhe t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve me dëshirën më të mirë që Kosova të ecë në rrugën e saj drejt BE-së”, ka thënë ajo.
Sipas deputetes së LDK-së, sintagma “progres i kufizuar” e përdorur në raport zbulon me saktësi stagnimin në fushat më jetike për jetën e qytetarëve dhe demokracinë në vend.

