Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin e Tregtisë të Republikës së Turqisë, Ömer Bolat. Në takim, kryeministri Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe e falënderoi ministrin Bolat për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme të Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Kosovës.
Teksa shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit, kryeministri Kurti tha se në dekadën e fundit janë dyfishuar shkëmbimet tregtare ndërmjet dy vendeve, me rritjen më të shpejtë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë.
Të dy diskutuan për mundësitë e zgjerimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë edhe për shërbimet, përfshirë ato profesionale, të teknologjisë së informacionit, të transportit dhe të logjistikës, si dhe shërbimet financiare. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti përmendi potencialin e jashtëzakonshëm të Republikës së Kosovës për eksport të shërbimeve.
