Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Banjskë ishte një përpjekje e mbështetur nga Serbia për të cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Këto deklarata Kurti i bëri në akademinë përkujtimore në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 në Banjskë, gjatë sulmit të një grupi paramilitar serb, raporton Ekonomia Online.
Duke folur për situatën në veri të Kosovës dhe ndryshimet e ndodhura gjatë viteve të fundit, Kurti tha se për një kohë të gjatë veriu ishte përshkruar si zonë e pakontrolluar dhe vatër e krimit të organizuar.
“Në vazhdimësi e për shumë vite është shkruar dhe përfolur për veriun e Kosovës si vatër destabilizimi, tokë e askujt, zonë e pakontrolluar ku lulëzon krimi i organizuar, strukturat paralele dhe grupet kriminale. Vargmalet dhe territori i vështirë e i thepisur ishin shndërruar në hapësira lehtë të qasshme për kontrabandim armësh e mallrash, aktivitete ilegale të llojllojshme e hyrje-dalje të figurave kriminale. Ekzistonte një pajtim në heshtje se në veriun e Kosovës mund të jetohej dhe përfitohej jashtë orbitës së sundimit të ligjit dhe rendit demokratik. Kjo situatë e papranueshme dhe alarmuese duhej të ndryshonte medoemos. Ndryshimi në kalimin nga anomalia në normalitet, u përball me mobilizim të strukturave e grupeve kriminale të dirigjuara dhe organizuara nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti.
Kurti tha se, sipas tij, Serbia kishte dështuar në përpjekjet për të ruajtur ndikimin në veri të Kosovës, duke përmendur barrikadat, sulmet ndaj institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it, dorëheqjet kolektive dhe praninë ushtarake serbe pranë kufirit.
“Serbia dështoi disa herë të ruante ndikimin e saj të madh në veriun e shtetit tonë. Nuk funksionuan as barrikadat, as sulmet e përsëritura ndaj institucioneve tona dhe KFOR-it, as dorëheqjet kolektive të orkestruara, as kërcënimet me aeroplanë MIG e ushtri të stacionuar afër kufirit, me baza të përparme ushtarake e të xhandarmërisë dhe nivel të lartë të tyre të gatishmërisë për sulm. Serbia e kuptoi se tashmë e ka humbur kontrollin dhe është eliminuar prania e aftësia e strukturave të saj brenda territorit të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Kurti iu referua sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, duke e cilësuar atë si sulm paramilitar të mbështetur, financuar, trajnuar dhe instruktuar nga Serbia.
“Në këtë situatë të re, synuan të imitojnë përsëri një tjetër metodë hibride të Rusisë: aneksimin e territorit. Sulmi paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë tri vite më parë, u bë nga një grup terroristësh të mbështetur e financuar, trajnuar dhe instruktuar nga shteti i Serbisë, udhëhequr nga Millan Radoiçiq. Të veshur me uniforma taktike ushtarake e të pajisur me armatim të Ushtrisë dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, atë mëngjes, hasën në një patrullë policore të Policisë së Kosovës, pjesëtarët e së cilës i sulmuan. Duke e aktivizuar një minë me kabllo nga distanca, terroristët serbë e vranë Rreshterin Afrim Bunjaku dhe e plagosën zyrtarin policor Alban Rashiti”, theksoi Kurti.
Kurti tha se, tri vjet pas sulmit, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarë të tjerë të grupit vazhdojnë të jenë në Serbi dhe kërkoi që ata të përballen me drejtësinë në Kosovë.
“Tre vite nga sulmi i Banjskës, Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, vazhdojnë të strehohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofron mbrojtje dhe shërbime. Ata duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë dhe të gjykohen për sulmin me përmasa ushtarake të organizuar ndaj shtetit tonë dhe vrasjen e Afrim Bunjakut. Ne nuk do të ndalemi derisa të ketë drejtësi”, tha ai.
Në fjalimin e tij, kryeministri e cilësoi Afrim Bunjakun si hero dhe tha se rreshteri ra në krye të detyrës duke mbrojtur shtetin dhe paqen.




