Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se partia që ai udhëheq do ta respektojë në plotni aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në një intervistë për Klan Kosova, Limaj theksoi se ende pritet publikimi i plotë i aktgjykimit për të kuptuar se çfarë udhëzimesh ka dhënë Gjykata.
“Është ende e panjohur derisa ta lexojmë aktgjykimin, dhe pastaj, mbi bazën e atij aktgjykimi, do të marrim vendime. Ajo çka mund t’iu them unë që tani, është se, si gjithmonë, ne vazhdojmë t’i ndjekim aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Limaj, njofton Klankosova.tv.
Limaj gjithashtu ka komentuar në lidhje me kryetarin aktual të Kuvendit, Dimal Basha, për të cilin tha se nuk e njeh si kryetar dhe kërkoi dorëheqjen e tij për shkak të një punimi shkencor që, sipas Limajt, fyen Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
