“Çfarë të them? Tash ka ndodhur si rast, lopa ka shku, është futë në oborr të Gjykatës”.
Kështu e nis rrëfimin për KALLXO, Hashim Miftari, qytetari nga Graçanica, i cili u mbajt për 48 orë në ndalim policor pasi njëra nga lopët e tij kishte hyrë në oborrin e Gjykatës në Graçanicë.
Miftari tregon se gjithçka nisi kur njëra nga lopët u nda nga tufa dhe, pasi kishte dëgjuar qentë duke lehur në drejtim të Gjykatës, dyshoi se kafsha kishte shkuar në atë anë.
Ai rrëfen se shkoi pas saj për ta nxjerrë nga oborri i Gjykatës, por aty, sipas tij, situata mori një drejtim tjetër: përfundoi në stacion policor dhe më pas në ndalim për 48 orë.
“Po, m’u ka nda prej tufës. M’u ka nda prej tufës, se unë i kam 20 e ca copë lopë. Edhe me siguri qentë e kanë lehur edhe është futë në oborrin e Gjykatës.” – thot Miftari.
Ai pretendon se kur arriti te objekti i Gjykatës, i gjeti të dy dyert e mbyllura dhe tentoi t’i hapte për të marrë lopën. Në atë moment, sipas tij, arritën zyrtarët policorë.
Sipas rrëfimit të tij, gjithçka ndodhi pasi njëra nga lopët u nda nga tufa prej më shumë se 20 krerësh. Miftari thot se në atë moment kishte dëgjuar qentë duke lehur dhe kishte menduar se lopa kishte hyrë në oborrin e Gjykatës.
“Unë i kam 20 e ca copë lopë. Është nda prej tufës dhe me siguri qentë i kanë lehur edhe u fut në oborrin e Gjykatës. Edhe unë kam shkuar mbas lopës.” – rrëfen ai.
Kur arriti te Gjykata, Miftari thot se tentoi t’i hapte dyert e objektit për të hyrë në oborr dhe për ta nxjerrë kafshën, por të dyja ishin të mbyllura.
“Kur kam shkuar te Gjykata, se Gjykata i ka dy dyrë. Kam tentu me e çel derën, njërën derë, e shikoj mbyllur me dry. Kur shkova në atë anë, edhe ajo e mbyllur. Në atë moment kanë ardhur policët”- thot Miftari.
Sipas tij, Policia arriti rreth orës 16:00, ndërsa sigurimi i Gjykatës doli dhe ua hapi derën zyrtarëve policorë.
Miftari pretendon se në atë moment ishte edhe zyrtari i Gjykatës, i cili, sipas tij, i kishte thënë sigurimit që të mos ia kthente lopën.
“Unë thash: “Erdha me e marrë lopën, me hy”. Aty ke ai gjyqtari, ai i tha sigurimit: “Mos ia ktheni lopën!”- rrëfen ai.
Por, sipas Miftarit, ky nuk ishte kontakti i parë problematik me zyrtarin e Gjykatës.
Në intervistën, Miftari pretendon se rreth dy muaj para këtij rasti kishte pasur një mosmarrëveshje me kryetarin e Gjykatës në Graçanicë.
Sipas tij, konflikti kishte nisur për shkak të hedhjes së mbeturinave pranë fermës së tij, për shkak se bagëtia shkonin te bërlloku.
“Problem kemi pasur para dy muajve, i cili ka hedhur bërllok afër meje këtu. Nuk e kam lënë me qitë bërllok, nuk e kam denoncuar, po ai ka thirrur Policinë edhe kemi bërë debat për shkak të bërllokut, mos me e lënë me hedhë bërllok para derës, para fermës, se bagëtia po ngajnë pas atyre”- thot Miftari.
Ai pretendon se gjatë atij incidenti kryetari i Gjykatës e kishte thirrur Policinë dhe se më pas kishte pasur edhe një përplasje mes tyre.
“Para Policisë u ardhë këtu edhe më ka sulmuar” – pretendon Miftari, pa dhënë detaje të tjera për këtë pretendim.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje Gjykatës së Prishtinës për të marrë qëndrimin e saj lidhur me pretendimet e Hashim Miftarit për konfliktin e mëhershëm dhe rrethanat e rastit në oborrin e Gjykatës. Deri në publikimin e këtij shkrimi, Gjykata nuk ka kthyer përgjigje.
Miftari thot se në momentin e incidentit në oborrin e Gjykatës nuk kishte pasur ndonjë përplasje tjetër, përveç një debati verbal rreth kthimit të lopës.
“Jo, na kemi debatuar pak. Ai më ka thënë: ‘Nuk mundesh me e marrë lopën’. Unë i kam thënë: ‘Mbaje lopën’” – rrëfen ai.
Sipas tij, lopa kishte mbetur në oborrin e Gjykatës, ndërsa ai ishte kthyer në drejtim të shtëpisë. Më pas, policët e kishin ftuar që të shkonte me ta.
“Unë i kam thënë, i kam 50 mijë euro krerë, kush më garanton mua që nuk më ndodh diçka? Unë, në qoftë se ju garantoni, atëherë vij me juve”- rrëfen ai.
Sipas tij, pas një bisede me policët, ishte marrë vesh që së pari të kthehej në shtëpi për t’i mbyllur bagëtitë dhe më pas të shkonte në stacion policor.
“Thash: ‘I mbyll për dy orë, një orë e gjysmë sa janë’. Edhe ashtu e kemi lënë. I kam rregulluar të gjitha, i kam hipur kerrit, kam shku në stacion të Policisë” – thotë Miftari.




