Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetime lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave gjatë procesit të numërimit në disa komuna të rajonit.
Sipas njoftimit të Sistemit Prokurorial, më 22 janar 2026 është autorizuar Policia e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për manipulime të dyshuara të votave për kandidatë për deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim sigurimin e provave dhe identifikimin e personave përgjegjës në komunat që janë në kompetencë territoriale të kësaj prokurorie.
Pas veprimeve hetimore dhe takimeve koordinuese mes Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, si dhe pas raportit të pranuar nga autoritetet policore, Prokuroria ka bërë të ditura gjetjet për komunat përkatëse.
Në komunën e Ferizajt, sipas raporteve që përfshijnë 153 vendvotime, keqpërdorimet me vota kanë rezultuar të jenë në një përqindje të ulët. Konkretisht, nga 153 vendvotime, vetëm një kandidat në të gjitha qendrat ka pasur shtim prej shtatë votash, ndërsa për kandidatët e tjerë shtimi ka rezultuar nga një deri në tre vota.
Në komunën e Hanit të Elezit, përqindja e manipulimeve është po ashtu e ulët dhe e krahasueshme me atë të Ferizajt.
